Festivalet Folklorike Kombëtare të Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë të mbajtura në Lezhë, gjatë viteve 2002, 2003 dhe 2005 janë përmbledhur në një libër me autor muzikantin, dirigjentin dhe studiuesin e mirënjohur të trashëgimisë folklorike muzikore shqiptare, Ermir Dizdari.

Libri është një dokument i rrallë që nderon dhe pasqyron trashëgiminë tonë shpirtërore. Botimi, i mbështetur nga Bashkia Lezhë, iu prezantua publikut në kuadër të aktiviteteve të “Tetorit Fishtjan”.

Në mjediset e Bibliotekës Publike “Gjergj Fishta” në Lezhë, u mblodhën miq të librit dhe të autorit, i cili mban mbi supe një përvojë 50-vjeçare, në skenën muzikore dhe si themelues i shumë formacioneve artistike. Dizdari sjell një botim të veçantë, ku përmbledh grupet pjesëmarrëse, programet artistike, tekstet e këngëve dhe një arkiv fotografik të pasur, duke ruajtur kujtesën kolektive të këtyre eventeve kulturore.

Ermir Dizdari, i cili ka qenë drejtor artistik i këtij festivali, ka përfshirë në libër çdo tekst kënge pjesëmarrëse në festival.

Drejtorja e Kulturës në Bashkinë Lezhë, Jona Dividi, u shpreh se ky libër është një vlerë e shtuar për trashëgiminë folklorike.

“Ermir Dizdari është një figurë që i ka dhënë shumë artit shqiptar. Libri që promovojmë sot është një kontribut i çmuar që dokumenton dashurinë për festivalet folklorike muzikore shqiptare të rapsodëve”, tha Dividi.