Shërbimi elektronik, i cili është i vlefshëm për pensionistët që e tërheqin pensionin në bankat e nivelit të dytë, mundëson deklarimin vetëm një herë në vit, duke reduktuar ndjeshëm kohën dhe shpenzimet për këtë proces.

Ky shërbim është pjesë e përpjekjeve të Qeverisë shqiptare për të digjitalizuar administratën dhe për t’ua bërë më të lehtë qytetarëve, veçanërisht grup-moshës së tretë, aksesin në shërbimet publike.

Që prej datës 3 prill 2024, të gjithë pensionistët, personat që marrin ndihmë ekonomike, përfituesit e pagesës së papunësisë, invalidët e punës, apo jetimët, kanë mundësinë të hapin një llogari pranë bankave të nivelit të dytë me kosto zero.

Ligji “Për Llogarinë e Pagesave me Shërbime Bazike”, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, parashikon që këto kategori të mund të kenë një llogari dhe të pajisen me një kartë bankare, përmes së cilës mund të tërheqin para, të bëjnë pagesa apo deri në 5 transferta bankare brenda vendit me tarifa zero. Kjo llogari është funksionale vetëm në monedhën vendase (lek), dhe shërben edhe për të marrë pensionin apo ndihmën ekonomike që kategoritë përfituese marrin.