Nxënëset Ajsi Beqiri dhe Shanel Rrosha, në gjimnazin “28 Nëntori” në Shkodër, janë shpallur fituese të Çmimit të Parë në nivel rajonal me projektin e tyre inovativ “MindMate: AI-Powered Mental Health Buddy”, një aplikacion i krijuar për të ndihmuar të rinjtë në përballimin e sfidave të shëndetit mendor, duke përdorur inteligjencën artificiale.

“Uebsajti përmban tre chatbot-e, secila me kategori të ndryshme. Përdoruesi mund të komunikojë për çdo problem dhe, në rast se detektohet një fjalë kyçe që sinjalizon emergjencë, sistemi dërgon një sinjal alarmi”, shpjegoi Shanel Rrosha, njëra nga krijueset.

“Në momentin që u përmendën emrat tanë si fituese, për ne ishte një nga emocionet më të bukura,” tha Ajsi Beqiri.

Projekti u realizua nën mentorimin e mësueses Vjola Jerina, e cila theksoi se Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (ADF) po mbështet vijimësinë e iniciativës, përmes investimeve në laboratorë të inteligjencës artificiale, ku çdo vit certifikohen rreth 20 nxënës të shkollës.

Ky çmim jo vetëm që shpërblen përkushtimin e nxënëseve dhe stafit mësimor, por e pozicionon projektin “MindMate” si një nga nismat më premtuese në fushën e teknologjisë dhe mirëqenies mendore, duke e bërë Shkodrën një shembull frymëzues të kreativitetit dhe inovacionit në arsimin e mesëm shqiptar.