Projekti për qendrën e vizitorëve në qytetin antik të Butrintit, është dizajnuar me një ndërthurje mes pranimit të vizitorëve dhe integrimit me peizazhin natyror dhe trashëgiminë arkeologjike të zonës.I konceptuar nga mjeshtri i njohur japonez i arkitekturës, Kengo Kuma, ky projekt po realizohet nën kujdesin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) dhe synon transformimin rrënjësor të mënyrës së menaxhimit të parkut arkeologjik të Butrintit.Qendra është në një vend strategjik, që lidh shtigjet malore, zonat me lagunë, liqenin e Butrintit dhe Kanalin e Vivarit. Kjo mundëson përvoja të ndryshme për vizitorin: natyrë, arkeologji, pamje panoramike.
Qendra e re në hyrjen kryesore të zonës arkeologjike ndihmon në menaxhimin më të mirë të fluksit të vizitorëve, ndërsa përfshin rimodelimin e zonës së biletave, ankorimet dhe shërbimet për mbështetjen e vizitorëve.
Studioja e arkitektit japonez me famë botërore “Kengo Kuma” u shpall fituese e Konkursit Ndërkombëtar për projektin e Qendrës së Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit.
Studioja fituese u përzgjodh për qasjen unike arkitekturore në krijimin jo thjesht të një objekti, por të një porte hyrëse në pasurinë e Butrintit, me një pamje të mrekullueshme dhe krijimin e një hapësire publike takimi për komunitetin lokal dhe turistët.
Kjo qendër, e denjë për të mikpritur vizitorët, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme në shërbim të tyre do të respektojë së pari vlerat e jashtëzakonshme universale jo vetëm të zemrës arkeologjike, por të të gjithë Parkut Kombëtar.





