Në një situatë ku në disa zona janë konstatuar kushte urie, shefi i çështjeve humanitare të OKB-së, Tom Fletcher, tha të mërkurën se mijëra automjete ndihmash duhet të hyjnë çdo javë për të përballuar krizën e shënuar nga kequshqyerja, mungesa e strehimit dhe kolapsi i infrastrukturës.

“Jemi ende poshtë nivelit që na nevojitet, por po përparojmë… Armëpushimi ka hapur një dritare të ngushtë mundësie, dhe Programi Botëror i Ushqimit (WFP) po lëviz shumë shpejt për të rritur ndihmat ushqimore”, tha për gazetarët në Gjenevë zëdhënësja e WFP-së, Abeer Etefa.

Ajo sqaroi se WFP-ja ende nuk ka filluar shpërndarjen  e ndihmave në qytetin e Gazës, për shkak të mbylljes së dy kalimeve kufitare, Zikim dhe Erez, në veri të enklavës, ku gjendja humanitare është më e rëndë.

“Hyrja në qytetin e Gazës dhe në veriun e territorit është jashtëzakonisht e vështirë”, tha Etefa, duke theksuar se lëvizja e kamionëve me miell gruri dhe pako ushqimore të gatshme nga jugu pengohet nga rrugët e shkatërruara ose të bllokuara.

“Është shumë e rëndësishme që të hapen kalimet në veri , aty ka shpërthyer uria. Për ta kthyer situatën, duhet patjetër të hapen këto pika”.

Megjithëse sasi të vogla ndihmash ushqyese kanë mbërritur në veri, zonë ku luftimet mes Izraelit dhe Hamasit kanë qenë më të ashpra, autokolonat me sasi të konsiderueshme ushqimi nuk po arrijnë të mbërrijnë atje