Muzeu i ri gjerman i artit të shekullit të 20-të do të hapet më vonë se sa ishte parashikuar, në vitin 2029, njoftoi  Fondacioni i Trashëgimisë Kulturore Prusiane (SPK), gjatë ceremonisë së përfundimit të strukturës së ndërtesës.

Ndërtimi ishte planifikuar fillimisht të përfundonte në 2028, thanë organizatorët gjatë ngjarjes, gjashtë vjet pas vendosjes së gurthemelit.

Sipas vlerësimeve aktuale, ndërtimi pritet të kushtojë 507 milionë euro (rreth 591 milionë dollarë), me një tendencë rënëse në kostot për shkak të pritjeve për rritje të mundshme të çmimeve të ndërtimit. Një raport i fundit për komitetin e buxhetit të Bundestagut e kishte vlerësuar koston rreth 526.5 milionë euro. Vlerësimet fillestare ishin rreth 200 milionë euro, që u rritën më pas deri në 450 milionë euro.

Muzeu “Berlin Modern” po ndërtohet aktualisht në “Kulturforum” pranë Potsdamer Platz dhe do të shërbejë si një zgjerim i “Neue Nationalgalerie” (Galeria e Re Kombëtare) në të ardhmen. Disa pjesë të ndërtesës do të jenë të aksesueshme publikisht.

Komisioneri i Kulturës i qeverisë, Wolfram Weimer, e quajti ndërtesën “ndërtimin e ri më të rëndësishëm kulturor të qeverisë federale” dhe një nga “ndërtimet më spektakolare në peizazhin kulturor evropian.”

Ai theksoi se muzeu synon të ofrojë një “shtëpi të re, madhështore dhe transparente” për koleksionin unik të Neue Nationalgalerie.

Sipas drejtorit Klaus Biesenbach, aktualisht mund të ekspozohet vetëm rreth 3% e koleksionit për shkak të mungesës së hapësirës. Ai shtoi se është e rëndësishme të ekspozohet arti i shekullit që përjetoi dy luftëra botërore dhe ngjarje katastrofike të tjera, në mënyrë që të nxirren mësime nga historia.

Kur të përfundojë, muzeu do të shfaqë veprat e Gerhard Richter, Joseph Beuys, Katharina Sieverding, Pipilotti Rist dhe artistëve të tjerë.

Performanca do të organizohen në një atrium me lartësi tavanore 22 metra. Ndërtesa gjithashtu do të përfshijë një kinema, një kafene dhe një beer garden.

Muzeu po ndërtohet sipas projektit të firmës zvicerane arkitekturore “Herzog & de Meuron”, e cila gjithashtu ka dizajnuar sallën e famshme të koncertit në Hamburg, “Elbphilharmonie”.