Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje pas negociatave të gjata për të krijuar një program për të mbështetur industrinë e mbrojtjes në Evropë, njoftoi Këshilli i BE-së.

Me një buxhet fillestar prej 1.5 miliardë eurosh në grante ky program, i quajtur ”Edip”, synon të promovojë nisjen e projekteve të përbashkëta të mbrojtjes gjatë periudhës 2025-2027.

“Kjo marrëveshje përbën një hap të madh për sigurinë e kontinentit evropian dhe zhvillimin e industrisë sonë të mbrojtjes”, tha eurodeputeti francez François-Xavier Bellamy,bashkëraportues i projektit në Parlamentin Evropian.

 “Evropa më në fund duhet të jetë në gjendje të mbrojë veten, dhe Edip u krijua për këtë”, tha bashkëraportuesi tjetër, Raphaël Glucksmann.

Më shumë se 60% e blerjeve të armëve në BE bëhen jashtë Bashkimit Evropian, kryesisht në Shtetet e Bashkuara, dhe Brukseli tani po kërkon ta ulë këtë varësi në 45%.

Ukraina gjithashtu do të përfshihet në projekt, duke përfituar 300 milionë euro brenda buxhetit të përgjithshëm.

Parlamenti Evropian, i cili kishte kërkuar më shumë fonde për Edip, tregoi se kishte siguruar kontribute financiare nga vendet e treta që marrin pjesë në program, si Britania e Madhe dhe Kanadaja, për të rritur buxhetin fillestar.

Edip gjithashtu hedh themelet për herë të parë për një kuadër ligjor që do të lehtësojë investimet dhe blerjet e përbashkëta në BE per çështjet e mbrojtjes.

Ai i shtohet nismave të shumta të nisura tashmë nga BE për të riarmatosur dhe mbrojtur më mirë Ukrainën kundër kërcënimit rus.