Skeleti i kësaj specie me qafë të gjatë, i quajtur Huayracursor jaguensis, u zbulua në një lartësi prej 3,000 metrash në provincën argjentinase të La Rioja nga një ekip paleontologjik i Conicet, instituti publik i kërkimit argjentinas.
Shkencëtarët argjentinas kanë zbuluar në vargmalin e Andeve skeletin pothuajse të plotë të një specie të re dinosauri që ka jetuar afërsisht 230 milion vjet më parë, duke e bërë atë një nga më të vjetërit në botë, njoftoi instituti Conicet.
Këto specie mendohet te kenë jetuar në fund të periudhës Triasike, periudha gjeologjike gjatë së cilës u shfaqën dinosaurët e parë dhe paraardhësit e gjitarëve, thanë studiuesit në një deklaratë.
“Ne besojme se Huayracursor duhet të jetë midis 230 dhe 225 milionë vjeçare, duke e bërë atë një nga dinosaurët më të vjetër në botë”, shpjegoi Agustin Martinelli, një nga autorët e artikullit.
Ndërsa specia e zbuluar është pjesë e një linje dinosaurësh barngrënës që përfshin gjigantë me qafë të gjatë, studiuesit vërejnë se një individ i rritur ishte rreth dy metra dhe peshonte rreth 18 kilogramë.
Skeleti i gjetur përbëhet nga një pjesë e kafkës, një shtyllë kurrizore e plotë që shtrihet deri në bisht dhe gjymtyrë të përparme dhe të pasme praktikisht të plota.
Autorët e artikullit besojnë se ky fosil do të bëhet një referencë për studimin e evolucionit të dinosaurëve, falë natyrës së tij pothuajse të plotë.





