Këshilli i Ministrave vendosi të ngarkojë Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit si organ qendror blerës për realizimin e konkursit të projektimit për projekt-idetë e zhvillimit të kampusit universitar “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Sipas vendimit të qeverisë, fondi prej 23.6 milionë lekësh do të mbulohet nga buxheti i Ministrisë së Arsimit për vitin 2025.

Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Arsimit, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Kampusi i universitetit të Durrësit pritet të vijojë me një kompleks rezidencial për akomodimin e studentëve që vijnë nga rrethet e tjera. Në të dyja anët e kampusit në Durrës, ka investime për sportin si akademia e “Manchester City” dhe akademia e tenisit e ‘Rafa Nadal’.  Zona bëhet një kompleks i vërtetë shërbimesh jo vetëm arsimore, por edhe edukative dhe sportive që i shërben studentëve dhe komunitetit.