Ky shërbim synon të lehtësojë procedurat për qytetarët, duke sjellë një kartelë të unifikuar pasurie dhe hartë kadastrale, që reflekton në mënyrë të qartë të gjitha të dhënat e pasurisë së paluajtshme.
Kadastra njofton se, për të aplikuar, qytetarët duhet të ndjekin këto hapa: Hyrja në profilin personal në portalin e-Albania; Kërkimi i shërbimit: “Aplikim për regjistrimin e bashkimit, ndarjes apo pjesëtimit të pasurisë së paluajtshme”; Plotësimi i të dhënave dhe ngarkimi i dokumenteve të kërkuara në format PDF.
Dokumentacioni i mëposhtëm duhet të dërgohet gjithashtu me postë pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së përkatëse:
– Kërkesë e firmosur nga pronari ose bashkëpronarët, së bashku me certifikatat origjinale të pronësisë;
– Plan rilevimi i përgatitur nga topograf i licencuar;
– Akt përfaqësimi në rast se aplikimi bëhet përmes prokurës.
Kadastra thekson se kjo procedurë sjell qartësi ligjore, eliminon problemet e mëparshme të regjistrimeve të ndara dhe rrit sigurinë juridike të pronarëve. Për më shumë informacion, qytetarët mund të referohen drejtpërdrejt pranë ASHK ose në platformën “e-Albania”.





