Ky investim po realizohet falë bashkëpunimit mes bashkisë Elbasan dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), si pjesë e programit kombëtar për rehabilitimin e fasadave me sistem kapot.
Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, gjatë inspektimit të punimeve theksoi rëndësinë e këtij investimi për cilësinë e jetës së banorëve dhe për transformimin urban të qytetit.
“Angazhimi ynë është i qartë, të gjithë pallatet e qytetit do të kalojnë në sistemin kapot, për të garantuar kursim të energjisë, izolim termik dhe akustik më të mirë, si dhe një pamje moderne e unifikuar për çdo lagje të Elbasanit”, u shpreh Llatja.
Sistemi kapot, përveç përfitimeve estetike, ndihmon në uljen deri në 30% të konsumit të energjisë elektrike, duke ndikuar drejtpërdrejt në kursimet familjare dhe në mbrojtjen e mjedisit.
Bashkia Elbasan tha se politikat e qëndrueshme që ajo po zbaton, synojnë jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës së banesave, por edhe krijimin e një qyteti më të gjelbër, më të kursyer dhe më të bukur për të gjithë banorët.





