Ekonomia shqiptare ka vijuar trendin pozitiv në administrimin e financave publike gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2025, me të ardhura që kapën shifrën e 562,5 miliardë lekëve dhe shpenzime në nivelin e 515,5 miliardë lekëve.
Të dhënat paraprake tregojnë për tejkalim të planit të të ardhurave dhe rritje të ndjeshme të shpenzimeve.
“Të ardhurat totale, për periudhën janar-shtator 2025, arritën në rreth 562,5 miliardë lekë, një realizim në masën 101% të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u mblodhën rreth 33,6 miliardë lekë më shumë ose 6,4% më shumë”, bën të ditur në një postim në rrjetet sociale ministri i Financave, Petrit Malaj.
Të ardhurat e mbledhura nga Tatimet dhe Doganat për këtë 9-mujor u realizuan në vlerën 372,3 miliardë lekë, me një rritje prej 8,9% krahasuar me vitin e kaluar
Në anën e shpenzimeve, për periudhën janar–shtator, ato arritën në 515,5 miliardë lekë, që përfaqësojnë një realizim prej 95,7% të planit të periudhës dhe një rritje prej 12,2% ose 55,9 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Shpenzimet korente kapën vlerën 457,6 miliardë lekë, një rritje prej 11,3% nga një vit më parë dhe një realizim prej 97,1% të planit, ndërsa shpenzimet kapitale u realizuan në 56,8 miliardë lekë, 17,6% më shumë se një vit më parë dhe me një realizim prej 85,1% ndaj planit të parashikuar.
Referuar të dhënave, suficiti fiskal për këtë periudhë llogaritet në rreth 47,1 miliardë lekë.
Megjithatë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky suficit rezultoi 32,1% më i ulët, ose rreth 22,2 miliardë lekë më pak.





