Tregu i punës në Shqipëri po shfaq kërkesë të shtuar për profesionistë dhe punëtorë, me afro 7 mijë vende të lira të shpallura aktualisht në mbarë vendin.

Nga financierë, te punëtorë krahu, kërkesa për fuqi punëtore është në rritje, ndërsa sfidë kryesore mbetet mungesa e punëtorëve të gatshëm për të pranuar ofertën.

Vetëm në dy javët e para të tetorit, sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), janë regjistruar 1143 vende të reja pune.

Sipas statistikave të AKPA, 230 pozicione janë të hapura për profesionistë, ku më të kërkuarit rezultojnë të jenë financierët, ekonomistët, juristët, inxhinierët dhe specialistët teknikë në fusha të ndryshme. Kjo tendencë pasqyron nevojën në rritje të bizneseve për staf të kualifikuar, në funksion të zgjerimit të aktivitetit dhe rritjes së standardeve të ofrimit të shërbimeve.

Paralelisht, në sektorin prodhues, ndërtim dhe logjistikë, mbizotëron kërkesa për punëtorë krahu, ku vetëm në fillim të tetorit janë shpallur 231 pozicione të lira, duke e renditur këtë si një nga kategoritë më të kërkuara në treg.

Ndërkohë, edhe pse sezoni veror ka përfunduar, në zonat bregdetare vijon të ketë kërkesa për staf shërbimi, ku për periudhën në fjalë janë shpallur 18 vende pune për kamerierë, si dhe pozicione të tjera si kuzhinierë, sanitarë dhe personel ndihmës.