Kur të bëhem mbret do të krijoj një botë ku fëmijët e mi të jenë krenarë për atë që bëjmë, një botë dhe punë me ndikim pozitiv në jetën e njerëzve, deklaroi trashëgimtari i ardhshëm i fronit të Anglisë, Princi William, shkruan il messaggero.it.

“Gjëja më e rëndësishme në jetën time është familja ime”, tha ai, duke pranuar se ”nuk dëshiron të bëjë të njëjtat gabime si prindërit e tij”.

“Është shumë e rëndësishme për mua të rris tre fëmijët e mi në një shtëpi të lumtur, të shëndetshme dhe të qëndrueshme. Duhet të kesh atë ngrohtësi, atë ndjenjë sigurie, mbrojtjeje dhe dashurie. E gjithë kjo duhet të jetë e pranishme, dhe kjo ishte padyshim pjesë e fëmijërisë sime”, thekson ai.

Princi ka komentuar edhe divorcin e prindërve të tij, Mbretit Çarls dhe Princeshës Diana.

“E merr këtë përvojë, mëson prej saj dhe përpiqesh të sigurohesh që të mos bësh të njëjtat gabime si prindërit e tu. Mendoj se të gjithë përpiqemi të bëjmë të njëjtën gjë dhe unë dua të bëj atë që është më e mira për fëmijët e mi, por e di që drama dhe stresi që përjeton kur je i ri të ndikon teksa rritesh”, shton ai.

Princi flet për dëshirën e tij për të modernizuar monarkinë.

“Mendoj se mund të them me besim se ndryshimi është në axhendën time. Ndryshimi për mirë. Dhe e përqafoj dhe e vlerësoj ndryshimin, nuk kam frikë prej tij. Kjo është pikërisht ajo që më emocionon – ideja e të qenit në gjendje të bëj ndryshim. Jo ndryshim rrënjësor, por ndryshime që mendoj se janë të nevojshme”, thekson ai