Zbatimi i taksës së re për pasuritë e paluajtshme, i planifikuar fillimisht të hynte në fuqi në vitin 2026, do të shtyhet me dy vite dhe pritet të nisë në vitin 2028.
Ministria e Financave bën të ditur se po përgatitet një projektligj i ri për taksën e pronës, i cili do të miratohet në vitin 2026 dhe do të zbatohet bashkë me Kadastrën Fiskale në vitin 2028. Aktualisht Kadastra është duke u populluar me të dhënat e azhornuara nga Agjencia Shqiptare e Kadastrës. Kadastra Fiskale është regjistri qendror i bazës së të dhënave të pasurisë së paluajtshme që shërben për hedhjen, përpunimin, korrektimin e të dhënave dhe që shërben për efekt të llogaritjes së shumës së taksës së pasurisë së paluajtshme për t’u paguar nga çdo tatimpagues.
Shtyrja e nisjes së zbatimit të taksës së re për pasuritë e paluajtshme vjen për shkak të nevojës për konsultime të mëtejshme dhe ndërtimit të një sistemi modern taksimi, që do të bazohet në vlerën e tregut të pronave.





