Në kuadër të Ditës Botërore të Kafshëve, Bashkia Shkodër organizoi një panair të veçantë të kafshëve shtëpiake, duke bashkuar dashamirës të kafshëve, fëmijë, familje dhe vullnetarë, në një aktivitet edukues dhe ndërgjegjësues për kujdesin ndaj miqve tanë me katër putra.
Ky event kishte për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e komunitetit, veçanërisht brezit të ri, për rëndësinë e trajtimit të duhur të kafshëve, parandalimin e braktisjes dhe inkurajimin e adoptimeve të përgjegjshme.
Aktualisht, në qytet funksionojnë dy strehëza për qen, të cilave do t’u shtohet së shpejti edhe një tjetër strehëz, për të ofruar kushte më të mira dhe hapësira më të sigurta për kafshët e braktisura.
“Strehëza më e bukur për ta mbetet zemra dhe shtëpia e secilit prej nesh. Le t’i hapim dyert e familjeve tona dhe të shtojmë çdo ditë historitë e bukura të adoptimeve”, u shpreh kreu i Bashkisë.
Panairi i kafshëve shtëpiake u kthye në një festë për fëmijët dhe familjet, me aktivitete ndërgjegjësuese, kënde edukative dhe prezantime nga strehëzat lokale, duke ofruar informacione të vlefshme për kujdesin, ushqimin dhe trajtimin e duhur të kafshëve.





