Kujdesi i vazhdueshëm i stafeve të zonave të mbrojtura si dhe moratoriumi i gjuetisë kanë sjellë shtimin e faunës së egër në vend.

Kamerat kurth të vendosura në zonë kanë dokumentuar praninë e derrit të egër, kaprollit, lepurit të egër, dhelprës etj.

Monitorimi i parë me kamera kurth në këtë zonë është realizuar në vitin 2009, ndërkohë që në vitin 2012 është arritur të fotografohet një prej llojeve më të rrezikuar në botë, siç është rrëqebulli i Ballkanit.

Që prej asaj kohe, monitorimi i jetës së egër ka vazhduar në mënyrë konstante si prej organizatave mjedisore, ashtu edhe prej Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Elbasan.

Me vendim të Këshillit të Ministrave më 26 janar 2022 sipërfaqja e ekosistemit natyror “Shebenik”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II), është rritur nga 33 894.25 ha në 34 507.9 ha. Ky park është zonë ndërkufitare me Republikën e Maqedonisë së Veriut, në rajonin juglindor të vendit, në sektorin e sipërm të pellgut ujëmbledhës të lumit të Bushtricës e të Qarrishtës dhe në malet përreth tyre, në lartësitë nga 300 m deri 2261 m (Maja Rreshpës, në Shebenik).

Parku i Shebenikut tashmë po kthehet në një atraksion turistik duke u frekuentuar gjithnjë e më shumë nga një numër i lartë vizitorësh në çdo stinë të vitit