Qeveria e majtë e Spanjës planifikon të përfshijë të drejtën e abortit në kushtetutë, mes asaj që e konsideron si një sulm global ndaj lirisë riprodhuese, tha tha kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, sipas “Politico”.
Nëse ligji miratohet, Spanja do të bëhet vendi i dytë në botë që e bën të drejtën e abortit kushtetuese, duke ndjekur shembullin e Francës, e cila vitin e kaluar u bë vendi i parë në botë që ndërmori këtë hap historik.
Në një postim në media sociale, Sanchez tha se po planifikon të paraqesë një propozim në Parlament për të përfshirë në kushtetutë të drejtën për ndërprerje vullnetare të shtatzënisë.
“Me këtë qeveri, nuk do të ketë asnjë hap prapa në të drejtat sociale”, tha ai.
Njoftimi i Sanchez, vjen pas miratimit të Këshillit të qytetit të Madridit të një mase që do t’i detyrojë qendrat shëndetësore të informojnë gratë që po mendojnë për kryerjen e abortit rreth të ashtuquajturës “traumë pas abortit”.
Masa u mbështet nga Partia Popullore e qendrës së djathtë (PP) dhe partia e ekstremit të djathtë “Vox”.
“PP ka vendosur të bashkohet me të djathtën ekstreme. Kjo është zgjedhja e tyre”, shkroi Sanchez.
“Ata mund ta bëjnë këtë. Por jo në kurriz të lirive dhe të drejtave të grave”, shtoi ai.
Kryeministri spanjoll tha se ka planifikuar të ndryshojë ligjet e Spanjës për abortin – për të parandaluar dhënien e informacionit – shkencërisht të pasaktë – në lidhje me abortin.