Ky vendim synon të përcaktojë rregullat e hollësishme për verifikimin e kushteve të produkteve organike dhe kontrollet zyrtare për produktet që importohen nga një vend anëtar i Bashkimit Evropian ose vend i tretë me qëllim vendosjen në tregun shqiptar si produkt organik dhe/ose në kalim.

Në vendim thuhet se këto rregulla kanë për qëllim të përcaktojnë veprimet që duhet të ndërmerren nga institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar në pikat e inspektimit kufitar, në rast të dyshimit ose të konstatimit të mospërputhshmërive të ngarkesave me kërkesat e legjislacionit në fuqi për prodhimin organik.

Sipas rregullave të miratuara nga KM, “autoritetet doganore lejojnë hyrjen në Republikën e Shqipërisë të ngarkesës për qarkullim të lirë, pas kryerjes së kontrollit zyrtar nga institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar në PIK, i cili nxjerr aktin e kontrollit, sipas statusit të ngarkesës”.

Bazuar në aktin e kontrollit dhe në dokumentet shoqëruese të ngarkesës së deklaruar nga importuesi ose përfaqësuesi doganor, si organik dhe/ose në kalim, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave raporton në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë të dhënat e regjistruara në sistemin elektronik doganor.

Për zbatimin e këtij vendimi, ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, trupat e kontrollit, autoriteti përgjegjës për kontrollin zyrtar lidhur me ushqimin, ushqimin për kafshë dhe kafshët e gjalla dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet më 29 tetor 2026.