Rehabilitimi dhe elektrifikimi i linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë pritet të përfundojë në vitin 2028.
Kjo u bë e ditur nga zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike gjatë diskutimit të marrëveshjes së grantit të BE-së prej 60,5 milionë euro për linjën hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, një nyjë e rëndësishme kjo e Korridorit VIII që lidh Shqipërinë, Italinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Investimi kap vlerën e 120,5 milionë eurove dhe do të mbulohet me grant nga BE-ja dhe kredi në shumën 30 milionë euro nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe 30 milionë euro nga Banka Europiane e Investimeve.
Përveç grantit, projekti shoqërohet edhe me një kredi prej 30 milionë eurosh nga Banka Evropiane e Investimeve, që do të ndihmojë në modernizimin e linjës hekurudhore prej 34 kilometrash.
Gjithashtu, për realizimin e plotë të projektit do të akordohet edhe një kredi prej 30 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si pjesë integrale e paketës së financimit prej 120,5 milionë euro.
Linja hekurudhore do të elektrifikohet dhe do të përafrohet me standardet e Bashkimit Evropian, duke mundësuar udhëtime me tren me shpejtësi deri në 120 km/orë.