Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) tregojnë se ekonomia shqiptare po mbështetet në mënyrë të qëndrueshme tek kërkesa e brendshme, me konsumin familjar që zë peshën më të madhe në strukturën e shpenzimeve totale.
Rritja e konsumit të popullatës është nxitur nga disa elementë të ndërthurur, si rritja e të ardhurave disponibël për familjet, falë politikave të rritjes së pagave në sektorin publik dhe privat, stabiliteti i çmimeve, që ka kontribuar në ruajtjen e fuqisë blerëse për një pjesë të konsiderueshme të mallrave dhe shërbimeve bazë, si dhe rritja e besimit të konsumatorëve në ekonomi.
Në të njëjtën periudhë, konsumi final i qeverisë regjistroi një rritje të ndjeshme prej 12,44%, ndërsa formimi bruto i kapitalit fiks u rrit me 4,33%, çka tregon për investime në rritje nga sektori publik dhe privat.
Në tremujorin e dytë, eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0,97%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024-ës, ndërkohë që importet shënuan një rritje prej 3,26%.
Konsumi final i familjeve përfshin të gjitha mallrat dhe shërbimet e përdorura nga familjet rezidente për të përmbushur nevojat e tyre individuale, si ushqime, energji, transport, arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera të domosdoshme.
Një rritje e qëndrueshme në këtë tregues konsiderohet një sinjal pozitiv për ecurinë e ekonomisë, pasi nxit aktivitetin në sektorët kryesorë të prodhimit dhe shërbimeve.
Tendenca pozitive në konsumin final të popullatës mbetet një komponent kyç për gjenerimin e rritjes së mëtejshme ekonomike në vend.