Gjatë konferencës “Stabilitet dhe Zhvillim përmes Ekonomisë dhe Inovacionit”, Ibrahimaj theksoi se kjo masë është pjesë e një strategjie të qartë për fuqizimin e kapitalit njerëzor dhe rritjen e mirëqenies ekonomike.

“Burimet njerëzore janë pasuria më e madhe e vendit. Rritja e pagave është thelbësore për të mbajtur fuqinë punëtore në vend dhe për të nxitur produktivitetin”, u shpreh ministrja.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se për 18 muajt e parë pas hyrjes në fuqi për rritjen e pagës minimale, nuk do të ketë rritje të taksave apo tatimeve, duke i dhënë bizneseve dhe qytetarëve një klimë më të qëndrueshme financiare.

Sipas saj, Shqipëria ndodhet aktualisht në një cikël pozitiv të zhvillimit ekonomik, i cili është reflektuar në rritjen e konsumit, investimeve dhe punësimit.

Politikat e qeverisë në vijim do të fokusohen në: Rritjen e punësimit dhe mbështetjen për fuqinë punëtore; Nxitjen e sipërmarrjes dhe inovacionit, veçanërisht në sektorët digjitalë dhe teknologjikë; Fuqizimin e shtresës së mesme si themel i një shoqërie të qëndrueshme; Investime në sektorët strategjikë si bujqësia, energjia, teknologjia dhe turizmi; Përmirësimin e klimës së biznesit për tërheqjen e investimeve të huaja dhe rritjen e konkurrueshmërisë.

Ministrja nënvizoi rëndësinë e vijimësisë së reformave strukturore, si dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit fiskal dhe monetar si bazë për zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.