Alpinisti polak, Andrzej Bargiel bëri një zbritje Everesti me ski, por pa përdorur oksigjen duke u bërë personi i parë në botë që arrin një sukses të tillë, njoftoi ekipi dhe organizatori i ekspeditës së tij.
Pasi arriti majën më të lartë në botë pa maskë oksigjeni, në 8 848 metra, ai nisi zbritjen me ski në shpatet me dëborë.
Disa video të publikuara në llogarinë e tij në Instagram e tregojnë atë duke u ngjitur në majë, para se të rrëshqasë mbi dëborën e pastër.
Everesti është zbritur me ski shumë herë, por asnjëherë plotësisht dhe pa ndihmën e bombolave të oksigjenit, ashtu sic ia doli alpinisti 37-vjecar.
Chhang Dawa, sherpa i Seven Summit Treks, organizatori i kësaj ekspedite, shpjegoi se alpinisti polak bëri ski deri në Kampin 2, ku kaloi një natë, para se të vazhdonte zbritjen e tij në kampin e bazës, të nesërmen.
”Ishte ekstremisht e vështirë dhe asnjë person nuk e kishte bërë më parë dhe sidomos pa ndihmën e oksigjenit”, theksoi Chhang Dawa.
Reshjet e dendura të dëborës e detyruan të kalonte 16 orë në zonën e vdekjes, e ndodhur mbi 8 000 metra. Kjo zonë quhet e tillë sepse ajri përmban vetëm 30% të oksigjenit që ndodhet në nivelin e detit, e cila mund të çojë në lodhje ekstreme dhe në vdekje brenda disa orëve.
Pas kthimit në bazë, Bargiel u prit me një khada, shall tradicional budist.
”Qielli është limiti? Jo për polakët! Andrzej Bargiel bëri ski në malin Everest”, deklaroi në X kryeministri polak, Donald Tusk.
”Ai hyri në histori dhe kjo përbën një hap vendimtar për alpinizmin me ski”, shtoi ekipi i tij në një njoftim për shtyp.