Përfshirja e Vjosës në këtë program synon mbrojtjen e ekosistemeve të pasura dhe të shëndetshme, si dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ruajtjes së biodiversitetit në rajon, duke i dhënë vendit një krenari ndërkombëtare.

Përfshirja e Vjosës në programin “Njeriu dhe Biosfera” të UNESCO-s kurorëzoi një punë 4-vjeçare.

Lumi Vjosa, i njohur si një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë, u shpall “Park Kombëtar” nga qeveria shqiptare në mars të vitit 2023, pas përpjekjeve disavjeçare të organizatave shqiptare dhe ndërkombëtare mjedisore për mbrojtjen e këtij lumi nga ndërtimi i digave për hidrocentrale.

Lumi i Vjosës është ndër lumenjtë më të mëdhenj të Shqipërisë, sidomos për sa i përket prurjeve të shumta ujore.

Me një gjatësi prej 272 km, Vjosa rrjedh nga malet e Pindit në Greqi dhe përshkon territorin shqiptar deri në derdhjen në detin Adriatik.