Banka e Shqipërisë bën të ditur se, çmimet e banesave në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti shënuan një rritje të fortë kryesisht në zonën e bregdetit.
Sipas Raportit të Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë, Indeksi Fischer i çmimit të banesave në rang vendi u rrit me 14,6% në terma gjashtëmujorë, dhe me 41,7% ndaj një viti më parë.
Rritja e çmimeve në zonën e Tiranës ka qenë shumë e fortë.
“Për Tiranën, indeksi u rrit 5,1% në terma gjashtëmujorë dhe 32,6% ndaj nivelit të një viti më parë”, vlerëson Banka e Shqipërisë.
Për shkak të çmimeve të larta koha e shitjes së një prone është rritur në raport me vitet e kaluara, me të paktën 12 muaj. Gjithashtu vrojtimi evidenton se kostot e ndërtimit janë rritur në këtë periudhë të parë të vitit, por me ritme shumë më të ulëta se çmimet e pronave në vend.
Edhe çmimet e qirave rezultojnë me rritje, sipas raportimeve nga agjentët që kryejnë aktivitet në zonën e kryeqytetit. Sipas tyre, kërkesa e përgjithshme për marrje me qira raportohet më e lartë nga kërkesa gjatë gjashtëmujorit të mëparshëm.
Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka vijuar të figurojë në një pjesë të mirë të shitjeve të pronave. Sipas agjentëve, ashtu si periudhën e kaluar, 58% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 62% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025 janë blerë më pak banesa nga shtetasit e huaj. Kështu, rreth 15% e banesave të shitura janë raportuar të blera nga shtetas jorezidëntë krahasuar me 18% për gjashtëmujorin e mëparshëm.