Drejtori i Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore në bashkinë Elbasan, Artur Guni tha sot për ATSH-në se vetëm gjatë muajit gusht – shtator Elbasanin e kanë vizituar më shumë se 4500 turistë vendas e të huaj.

Kryesisht turistët e huaj janë nga vendet e Europës si Franca, Izraeli, Italia, por edhe nga SHBA-ja dhe Australia”.

“Turistët janë njohur jo vetëm me Kalanë dhe Muzeun Etnografik që ndodhen në qendër të qytetit, por edhe në pikat turistike si Funari, Gjinari dhe Bysheku”, tha Guni.

Sipas tij, kalaja e Elbasanit, një ndër monumentet më të rëndësishme historike të qytetit, po kthehet çdo ditë e më shumë në një qendër tërheqëse për vizitorët.

“Falë nismave të rivitalizimit dhe interesit në rritje për turizmin kulturor, Kalaja e Elbasanit po merr një jetë të re. Kjo hapësirë historike është një destinacion, që i fton vizitorët të zbulojnë historinë, kulturën dhe mikpritjen që e kanë bërë Elbasanin një qytet të veçantë në zemër të Shqipërisë”, nënvizoi Guni.

Dikur nyje e rëndësishme e rrugës antike “Via Egnatia”, sot kalaja është një simbol i gjallë i historisë, kulturës dhe bashkëjetesës fetare.

Brenda mureve të saj shekullore gjenden Xhamia e Mbretit dhe Kisha Ortodokse “Shën Maria”, ndërsa shumë pranë ndodhet edhe Kisha Katolike, duke e bërë këtë zonë një shembull unik të harmonisë ndërfetare.

Përveç vlerave shpirtërore, rrugicat karakteristike, arkitektura osmane dhe gjurmët e qytetërimit të hershëm e bëjnë kalanë një udhëtim në kohë për çdo vizitor.

Një tjetër element që e bën kalanë të paharrueshme është mikpritja tradicionale elbasanase, zonjat e vjetra shpesh hapin dyert e shtëpive brenda mureve, duke ofruar ëmbëlsira e kafe, si edhe rrëfime për historinë e qytetit.

Ky gjest i thjeshtë, por i çmuar, kthehet në një përvojë autentike për turistët.

Me ritmin e vizitave që rritet çdo vit, Kalaja e Elbasanit dhe monumentet e tjera të lashtësisë në qytet janë bërë një destinacion tërheqës për turistët.