Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm 4 pagesa për frymë në vitin 2016 çka tregon për një rritje më shumë se pesëfish brenda tetë viteve.
Ky progres dëshmon ndryshimin e sjelljes së konsumatorëve shqiptarë, që po zgjedhin gjithnjë e më tepër zgjidhjet digjitale për kryerjen e pagesave të përditshme, duke reflektuar një rritje të besimit në sistemin bankar dhe në sigurinë e teknologjive financiare.
BSH-ja bën të ditur se përfshirja financiare e popullsisë arrin në gati 80%, një nga nivelet më të larta në rajon.
Një tjetër tregues pozitiv është rritja e përfshirjes financiare, e matur si përqindja e popullsisë që zotëron të paktën një llogari financiare. Kjo përqindje ka arritur në 78% në vitin 2024, nga vetëm rreth 40% në vitin 2017.
Kjo rritje tregon se një pjesë gjithnjë e më e madhe e qytetarëve janë duke u përfshirë në mënyrë aktive në sistemin financiar formal, duke pasur akses në produkte dhe shërbime bankare bazë.
Rritja e pagesave digjitale dhe përfshirjes financiare: Ndihmon formalizimin e ekonomisë dhe ul përdorimin e cash-it, përmirëson transparencën financiare dhe lufton evazionin fiskal, rrit efikasitetin në tregtinë e brendshme dhe ndërkombëtare dhe mbështet objektivat strategjikë të integrimit europian.
Banka e Shqipërisë dhe sektori bankar mbeten të angazhuar për vazhdimin e reformave në sistemin e pagesave, ndërtimin e infrastrukturave moderne financiare dhe rritjen e aksesit të qytetarëve në shërbime të sigurta, të shpejta dhe të përballueshme.