Qeveritë e Britanisë së Madhe, Kanadasë, Australisë dhe Portugalisë e kanë njohur zyrtarisht Palestinën, shkruan focus.it.
Palestina është një shtet i shpallur në mënyrë të njëanshme në vitin 1988, pas një sërë konfliktesh që filluan ditën kur lindi shteti hebre në vitin 1948.
Që atëherë, një sërë luftërash dhe sulmesh terroriste kanë çuar në një krizë të pafundme.
Për çfarë territori po flasim?
Rezoluta 181 e OKB-së në vitin 1947 vendosi ndarjen e Palestinës në dy shtete, njëri hebre, tjetri arab, me Jerusalemin të administruar ndërkombëtarisht. Por, nuk kishte asnjë marrëveshje midis botës arabe dhe Izraelit.
Pra, sot gjendemi në një situatë ku, përveç Rripit të Gazës, të pushtuar ushtarakisht nga Izraeli, shteti hebre pushton edhe Jerusalemin Lindor dhe të gjithë Bregun Perëndimor, të pushtuar pas luftës së vitit 1967.
Marrëveshjet e Oslos përcaktuan që një pjesë e madhe e Bregut Perëndimor do t’i shkonte Autoritetit Kombëtar Palestinez;
Por, këto marrëveshje u bllokuan pas vrasjes së kryeministrit Izraelit Yitzhak Rabin (4 nëntor 1995) nga një ekstremist i krahut të djathtë.
Njohjet e shtetit të Palestinës
Palestina njihet aktualisht nga pothuajse të gjitha vendet në Azi, Afrikë, Evropën Lindore dhe Amerikën Latine, si dhe nga Vatikani dhe Sahara Perëndimore, por nga pak vende perëndimore.
Njohja e një shteti është një vendim që secili vend mund ta marrë në mënyrë autonome, pa iu nënshtruar ligjit ndërkombëtar.
Njohja e një shteti nga bashkësia ndërkombëtare do të thotë njohja e kufijve të tij, mbajtja e marrëdhënieve diplomatike, dhënia e mundësisë qytetarëve të atij shteti për të udhëtuar me viza dhe lejimi i tyre për t’u bashkuar me organizata të mëdha ndërkombëtare si OKB-ja dhe OBSH-ja.
Roli i OKB-së
Për t’u bashkuar me OKB-në, një komb duhet të paraqesë një aplikim, i cili së pari vlerësohet nga Këshilli i Sigurimit, ku shtetet anëtare të përhershme (Kina, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara) kanë të drejtë vetoje.
Nëse shteti merr miratimin e Këshillit të Sigurimit, aplikimi i tij për anëtarësim i paraqitet Asamblesë së Përgjithshme për votim, ku duhet të marrë mbështetjen e të paktën dy të tretave të shteteve anëtare.
Ndërkohë që Izraeli ka qenë anëtar i OKB-së që nga viti 1949, Palestina ka pasur statusin e vëzhguesit që nga 29 nëntori 2012.
Ky status i lejon presidentit Palestinez Mahmoud Abbas (i lindur më 1935), i njohur si Abu Mazen, të marrë pjesë në diskutime dhe të nënshkruajë traktate.
Që nga viti 2012, flamuri palestinez ka valëvitur në selinë e OKB-së, dhe që nga viti 2024, Asambleja e Përgjithshme ka miratuar një rezolutë që e njeh atë si “të kualifikuar” për anëtarësim të plotë.
Megjithatë, vendimi përfundimtar, i cili, siç e kemi parë, kërkon miratim unanim nga Këshilli i Sigurimit, u takon anëtarëve të përhershëm.