Që prej datës 1 shtator, ka nisur fushata kombëtare e depistimit falas për kontrollin e qafës së mitrës. Kitet e testimit janë shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore në vend, ku të gjitha gratë e vitlindjeve 1975-1985 mund ta bëjnë kontrollin falas.

Prof. asc. Dorina Toçi, përgjegjëse e sektorit të sëmundjeve kronike pranë Institutit të Shëndetit Publik, tha për ATSH-në se deri tani janë kryer 3500 depistime, por deri në fund të vitit pritet të kryhen më shumë se 7000 depistime.

“Qëllimi kryesor i fushatës së depistimit për kancerin e qafës së mitrës është të parandalojë dhe të ulë ndjeshëm incidencën dhe vdekshmërinë nga kjo sëmundje, përmes zbulimit sa më të hershëm të infeksionit HPV dhe lezioneve parakanceroze, përpara se ato të shndërrohen në kancer invaziv. Në Shqipëri, ky program është pjesë e Programit Kombëtar të Kontrollit të Kancerit dhe synon të krijojë një sistem të qëndrueshëm parandalimi, krahas vaksinimit HPV. Më shumë se 60 000 gra e kanë kryer ekzaminimin që nga fillimi i programit, me një mbulesë depistimi prej më shumë se 40%”, tha Toçi.

Programi i depistimit në Shqipëri përfshin gratë e moshës 40-50 vjeç dhe të gjitha testet e depistimit primar e ekzaminimet e mëtejshme sigurohen falas në pikën e kujdesit, pavarësisht nga fakti nëse pacientët janë të përfshirë ose jo në skemën e sigurimit shëndetësor.