Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi raportin mbi tregtinë e jashtme, sipas të cilit importet shënuan rënie të lehtë prej 2,7% në krahasim me gushtin e vitit të kaluar, ndërsa krahasuar me korrikun, ato kanë rënë më shumë (19,6%). Në vlerë importet llogariten 67 miliardë lekë.
Kjo ka sjellë një ulje të deficit tregtar me 10,2%.
Rritja e eksporteve në gusht është kryesisht e nxitur nga sektorët e “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike”, të cilët kontribuan me 18,9 pikë përqindje. Grupi i “makinerive dhe pajisjeve” gjithashtu ka pasur një ndikim pozitiv, me 1,5 pikë përqindje.
Nga ana tjetër, eksportet e “materialeve të ndërtimit dhe metaleve” ranë me 6,7 pikë përqindje, ndërsa “produktet kimike dhe plastike” ranë 0,6 pikë përqindje.
Për sa i përket importeve, grupet që kontribuan në uljen e tyre janë “makineritë dhe pajisjet” me 1,3 pikë përqindje, dhe “materialet e ndërtimit dhe metale” me 1,2 pikë përqindje.
Po ashtu, grupi i “mineraleve dhe lëndëve djegëse” ndihmoi në uljen e importeve me 1 pikë përqindje.
Kosova dhe Greqia ishin tregjet kryesore për eksportet shqiptare, duke shënuar rritje të dukshme në krahasim me vitin e kaluar.