Personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në nevojë në Kamzë do të kenë një shërbim të ri falë mbështetjes së Bashkimit Evropian.

Zyra e delegacionit të BE-së në vendin tonë, njofton se duke filluar nga sot, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në nevojë në Kamzë kanë një mbështetje të re për të lëvizur në mënyrë më të lehtë dhe komode.

Një automjet i dedikuar dhe plotësisht i aksesueshëm do t’i ndihmojë ata të shkojnë në vizita mjekësore, zyra publike apo shërbime të tjera të domosdoshme, duke adresuar një nga sfidat që hasin çdo ditë si mungesën e transportit të përshtatshëm si parakusht për ushtrimin e të drejtave themelore.

Sipas njoftimit, ky shërbim i ri është pjesë e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian EU4SocialCare, i cili mbështet zgjerimin dhe përmirësimin e shërbimeve sociale në nivel vendor.

Në Qendrën Multifunksionale të Kamzës, projekti ofron gjithashtu një gamë të gjerë shërbimesh që përfshijnë aktivitete edukative për fëmijët, këshillim dhe mbështetje për familjet, terapi për personat me aftësi të kufizuara, si edhe shërbime të specializuara si logopedia dhe terapia e të folurit.

Këto shërbime synojnë të krijojnë një hapësirë të sigurt dhe gjithëpërfshirëse, ku ata që kanë më shumë nevojë mund të gjejnë kujdesin dhe mbështetjen që meritojnë.

Ky investim është financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNICEF dhe World Vision në bashkëpunim me Fondacionin “Së Bashku”, bashkinë Kamzë dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.