Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, e ka përshkruar Rripin e Gazës si një minierë ari për pasuri të paluajtshme.

Ideja për kontrollin e Gazës pas përfundimit të luftës dhe zhvendosjen e popullsisë palestineze – për ta kthyer atë në një “Riviere të Lindjes së Mesme” ishte parashtruar më herët nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

Ky propozim ka hasur kritika të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar, por Smotrich insistoi se  kjo  ide duhet të vazhdohet.

“Ekziston një plan biznesi, i zhvilluar nga njerëzit më profesionalë, që është mbi tavolinën e Trump-it”,   tha Smotrich në një konferencë për pasuri të paluajtshme sot në Tel Aviv, duke iu përgjigjur pyetjes për të ardhmen e Gazës pas luftës.

Ai sqaroi se plani përfshin “si kjo mund të bëhet një minerë ari për pasuri të paluajtshme”, që do të mbulojë shpenzimet e Izraelit, dhe shtoi se kishte nisur negociata me palën amerikane për këtë çështje.

“Lufta i ka kushtuar shumë Izraelit”, shtoi ai, duke thënë se “unë gjithashtu kërkoj diçka”.

“Vendimet tani duhet të merren për mënyrën se si e ndajmë këtë, si marrim përqindje nga marketingu i tokës në Gaza”, theksoi ai

Smotrich tha se “faza e shkatërrimit,” tipike për projektet e ndërtimit të ri, tashmë kishte përfunduar.

“Tani duhet të ndërtojmë, që është shumë më lirë”, u shpreh ai, duke iu përgjigjur pyetjes se “ku duhet të vendoset vendbanimi i parë izraelit në Rripin e Gazës”.

Smotrich është kundërshtar i vendosur i zgjidhjes me dy shtete dhe ka mbështetur disa herë zhvendosjen e popullsisë palestineze dhe vendosjen e izraelitëve në Gazë