Në vitin akademik 2023-2024 gratë përbënin 65,8% të studentëve të diplomuar në Shqipëri, një rritje prej 0,6 pikë përqindje krahasuar me vitin e kaluar.

Raporti i publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) “Burra dhe gra në Shqipëri”, tregon se në arsimin e lartë, në stafin akademik me kohë të plotë, gratë me titull “Profesor” përbëjnë 51,4%, ato me titull “Doktor” 61,6%.

Fushat e studimit ku vajzat diplomohen më shumë janë: Biznes, administrim dhe ligj, shëndet dhe mirëqenie dhe shkenca sociale, gazetari dhe informacion. Ndërsa fushat e studimit, ku diplomohen më së shumti djemtë, janë: inxhinieri, prodhim dhe ndërtim, teknologji e informacionit dhe komunikimit.

Por ndërsa gratë kanë arritur një nivel të lartë arsimimi dhe përfaqësimi në pozita akademike, ato vazhdojnë të përballen me hendekun gjinor në paga.

Raporti i publikuar nga INSTAT, tregon se burrat kanë një pagë mesatare mujore bruto 4,9% më të lartë se gratë.

Në krahasim me vitin e kaluar, hendeku gjinor në paga është ulur me 1,3 pikë përqindje.

Nga ana tjetër, burrat janë më shumë prezentë në tregun e punës sesa gratë, duke pasqyruar pjesëmarrje më aktive, respektivisht 82,3% dhe 69,3% për moshat 15-64 vjeç.