Në një intervistë për FSHF TV, Čeferin shpjegoi arsyen se përse Tirana u zgjodh si mikpritëse e kësaj mbledhjeje të nivelit të lartë, ndërsa foli edhe për bashkorganizimin e Europianit U-21 2027 mes FSHF-së dhe Federatës Serbe.

Kreu i qeverisë së futbollit europian tha se “prej 3-4 vitesh, në shtator ne shkojmë në një vend të ri dhe mendojmë se Tirana është një vend fantastik për të ardhur, e dinim që organizimi do të ishte i mirë. Ishte një zgjedhje e lehtë për t’u bërë”.

Lidhur me bashkorganizimin mes Shqipërisë dhe Serbisë të Kampionatit Europian U21 në 2027-n, Čeferin tha se “në këtë rajon, pothuajse çdo gjë kontestohet”.

“Mendimi im është që futbolli është përtej politikës. Futbolli duhet të sjellë miqësi, paqe dhe jo dhunë e përdorim politik”, shtoi ai.

“Çfarëdo që të bësh, sidomos në diçka si futbolli, kontestohet nga dikush. Më e rëndësishmja është që të shohësh veten në pasqyrë dhe të thuash që ishte gjëja e duhur. Po ndjekim çdo gjë bashkë, së bashku me Armandin dhe Federatën, gjithashtu dhe me Federatën serbe dhe jam i sigurt që gjithçka do të shkojë shkëlqyeshëm. Do të tregojmë që futbolli është mbi politikën e përditshme”, tha kreu i UEFA-s.

Čeferin tha se Federata Shqiptare e Futbollit ka qenë super eficiente në Uefa.

“Ju siguroj që nuk do të kisha Armand Dukën si zv.president i Uefa-s, nëse FSHF nuk do të bënte një punë të përkryer”, tha ai.