Autoriteti i Dosjeve dhe Instituti i Historisë i Kosovës, marrëveshje për dokumentet arkivore

0
3


Sipas Autoritetit të Dosjeve, marrëveshja e nënshkruar synon dokumentimin e së kaluarës së përbashkët, përmes botimeve shkencore dhe dokumenteve arkivore.

Kryetarja e Autoritetit, dr. Gentiana Sula, theksoi rolin vendimtar të këtij bashkëpunimi dhe nevojën për qasje të përgjegjshme ndaj historisë.

“Nuk do të lejojmë më që Sigurimi i Shtetit të vendosë për ne. Në rastin e shqiptarëve të Kosovës, janë krijuar dokumente stigmatizuese; ndërsa në rastin e shqiptarëve të Shqipërisë, janë vrarë njerëz dhe janë persekutuar familje të tëra. Ndaj jemi në kërkim të studiuesve dhe akademikëve të përgjegjshëm që t’i përcjellin këto ngjarje me reflektimin e duhur. Sigurisht që do të deklasifikojmë me kujdes, por duam që dokumentet tona të shërbejnë si dëshmi historike, ashtu si edhe ato të Kosovës, duke u vendosur në duar të përgjegjshme për studim, e jo të vazhdojë përbaltja e nisur nga Sigurimi i Shtetit përmes copëzimit të dokumenteve dhe rihapjes së damkosjes së familjeve”, tha Sula.

Prof. dr. Teuta Shala dhe prof. ass. dr. Arbër Hadri e konsideruan marrëveshjen një mundësi të re për shkëmbimin e burimeve arkivore për periudhën 1944–1991, duke ofruar një panoramë më të plotë mbi përndjekjet dhe politikat represive të ushtruara si nga Sigurimi i Shtetit në Shqipëri, ashtu edhe nga organet jugosllave në Kosovë.

Marrëveshja parashikon shkëmbimin e planeve vjetore, projekteve dhe veprimtarive të përbashkëta në fillim të çdo viti kalendarik, organizimin e konferencave dhe simpoziumeve mbi diktaturën komuniste, ish-Sigurimin e Shtetit dhe represionin politik ndaj shqiptarëve, pjesëmarrjen reciproke të punonjësve në ligjërata dhe kumtesa, publikimin e studimeve të përbashkëta në revista shkencore dhe botime tematike, informimin e ndërsjellë mbi çështje e dokumente me interes kombëtar, ngritjen e grupeve të përbashkëta për studimin e figurave historike dhe personaliteteve të albanologjisë, mbledhjen dhe publikimin e materialeve arkivore sipas legjislacionit në fuqi.

Autoriteti i Dosjeve, cilëson në njoftim se kjo marrëveshje ka një rëndësi që tejkalon fushën akademike, ajo është një akt afrimi dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës, në funksion të rishqyrtimit të së shkuarës dhe të ndërtimit te një perspektivë që parandalon përsëritjen e plagëve të së shkuarës.