Plazhi i Tales, vetëm 7 km larg rrugës nacionale Tiranë – Lezhë është një ndër plazhet më të frekuentuara jo vetëm nga pushuesit vendas, por edhe të huaj. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky plazh, që këto ditë vere ka tërhequr mijëra pushues. Kumbaro shprehet se plazhi i Tales në Lezhë, në një vijë prej 7 kilometrash nga fillimi i lagunave deri në nisje të deltës së lumit Mat, dhuron gjithë mrekullinë e natyrës për pushuesit me plazhe fantastike të aksesueshme nga të gjithë.
Plazhi i Tales htrihet nga cepi i lagunave Kune – Vain deri në fillim të deltës së lumit Mat dhe vlerësohet si një plazh familjar për qetësinë që ofron. Nga një zonë e virgjër, gati-gati e panjohur për shumëkënd, vitet e fundit plazhi i Tales ka filluar të frekuentohet dendur nga pushues edhe përtej Shqipërisë. Në jug të zonës gjendet plazhi Tale 2, ende i pazbuluar nga shumica e turistëve. Ngjyra e rërës është e zezë dhe kjo tregon për vlerat kuruese të saj dhe faktin e mosshfrytëzimit. Akoma më në jug, delta e lumit Mat prezanton një ambient natyror mjaft të këndshëm dhe atraktiv dhe të përshtatshëm për sportet e aventurës.https://ata.gov.al/2022/07/30/plazhi-i-tales-i-aksesueshem-nga-te-gjithe-pushuesit/