Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energisë Elektrike (OSHEE) Group ka rikonfirmuar angazhimin për kujdesin dhe përgjegjësinë sociale ndaj shtresave më në nevojë të shoqërisë, duke ofruar lehtësi të konsiderueshme për shlyerjen e faturave të prapambetura të energjisë elektrike.
OSHEE bën të ditur se, skema synon të mbështesë kryefamiljarët që janë titullarë të kontratës së energjisë elektrike, dhe që gëzojnë statusin: Pensionist; persona me aftësi të kufizuara dhe përfitues të ndihmës ekonomike.
Lehtësitë e ofruara për përfituesit janë pagesë mujore minimale 1,200 lekë; mundësi shlyerjeje deri në 240 këste; reduktim i kamatës deri në 70%, nëse shlyhet menjëherë e gjithë shuma.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në vitin e fundit, 823 individë kanë përfituar nga kjo skemë mbështetëse.
Ky program është pjesë e politikave sociale të OSHEE Group për të garantuar qasje të barabartë në shërbime dhe për të lehtësuar barrën financiare për shtresat vulnerabël të shoqërisë.