Përdorimi i biçikletës inkurajohet si mjet ekologjik i transportit në qytete si dhe mjaft efikas për të shmangur vonesat në trafik. Por, nga një vëzhgim në korsitë e dedikuara të biçikletave në kryeqytet, pedalimi ka sfida të përditshme për dashamirësit e dyrrotakëve.
Në korsitë e biçikletave, jo në pak raste është e pamundur që të kalosh për shkak të bllokimit nga makina që zënë rrugën në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor.
Nga një vëzhgim të kryer nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, zënia e korsive të biçikletave jo vetëm që nuk lejon përdorimin e tyre, por vë në rrezik edhe jetën e qytetarëve që i përdorin ato.
Gjithashtu drejtues motorësh, kryesisht ata të shërbimit të shpërndarjes në adresë, përdorin korsitë e biçikletave në shkelje me Kodin Rrugor si një rrugë alternative për të shmangur trafikun në kryeqytet.