Sëmundjet virale të transmetuara nga mushkonjat po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në BE, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).
“Infeksionet me patogjenë të tillë si virusi i Nilit Perëndimor ose virusi “chikungunya” mund të bëhen realiteti i ri në Evropë”, paralajmëroi sot agjencia e Bashkimit Evropian.
Virusi “chikungunya”, i transmetuar nga mushkonja tigër aziatike, ka vendosur një rekord të ri për kontinentin këtë vit, me 27 shpërthime të raportuara deri më tani.
Një rast i etheve “chikungunya” të kontraktuara në nivel lokal – u regjistrua në fillim të korrikut në rajonin francez të Alsasës.
Sipas agjencisë së BE-së, kjo është e pazakontë për gjerësinë gjeografike dhe thekson faktin se rreziku i transmetimit po përhapet më tej në veri.
“Deri në mesin e gushtit, 335 raste të virusit të Nilit Perëndimor të transmetuar në nivel lokal dhe 19 vdekje u raportuan në tetë vende evropiane”, sipas raportit të ECDC.
Italia është vendi më i prekur me 247 raste, e ndjekur nga Greqia me 35 raste.
ECDC pret që numri i infeksioneve të vazhdojë të rritet, me transmetimet që do të arrijnë kulmin në gusht ose shtator.
ECDC ia atribuon përhapjen në rritje të këtyre sëmundjeve në Evropë kushteve klimatike që lejojnë mushkonjat të zhvillohen.
Mushkonja tigër aziatike është tani e pranishme në 16 vende evropiane.
Agjencia me seli në Suedi këshillon banorët dhe vizitorët në zonat e prekura – veçanërisht të moshuarit, fëmijët dhe ata me sistem imunitar të dobët – të mbrohen nga pickimet e mushkonjave.