Ylli është pritur në zyrat e Komitetit Olimpik të Azerbajxhanit nga zv.presidenti Çingiz Huseynzade, me të cilin ka patur një bisedë shumë të ngrohtë dhe miqësore.
Temat kryesore të diskutimit kanë qenë ato të forcimit të bashkëpunimit mes Komiteteve Olimpike në disiplina të ndryshme sportive.
Brenda këtij viti, dy Komitetet Olimpike në bashkëpunim me federatat homologe të mundjes, peshëngritjes, xhudos, boksit, taekwondo-së, qitjes, gjimnastikës do të firmosin në Tiranë memorandumin e bashkëpunimit.
Presidenti Fidel Ylli shoqërohej në takim nga presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, dr. Astrit Hasani dhe presidenti i Federatës së gjimnastikës, Leonard Lulaj, ndërsa të pranishëm ishin edhe drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë i Komitetit Olimpik të Azerbajxhanit, Anar Begirov dhe drejtoresha e Marketingut, Sakina Viliyeva.