Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim për të vendosur kufizime në vizitat e Hashim Thaçit për 11 persona, në çështjen kundër administrimit të drejtësisë.

Ndonëse Prokuroria kërkoi që vizitat të ndaloheshin për tre vëllezërit e Thaçit, kërkesa u miratuar vetëm për 11 të tjerë. Pra, vizitat u ndaluan për Artan Behramin, Blerim Shalën, Ismail Sylën, Vllaznim Kryeziun, Milaim Ahmetajn, Milaim Cakiqin, Avni Kastratin dhe katër persona të tjerë emri i të cilëve është i redaktuar ngjashëm si i vëllezërve të Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Gjykatësi i Procedurës Paraprake thekson se kufizimet e miratuara në këtë vendim kufizohen vetëm në vizitat jo të privilegjuara të z. Thaçi në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara nga: Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, [REDAKTUAR], [REDAKTUAR], Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati, [REDAKTUAR] dhe [REDAKTUAR]. Këto kufizime do të hyjnë në fuqi menjëherë pas njoftimit të këtij vendimi për z. Thaçi”, thuhet në vendim.

Vendimi është marrë më 18 gusht 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot.

Prokuroria kërkesën e vet e arsyeton me pretendime se këta persona kur kanë vizituar Thaçin më herët kanë folur me zë të ulët dhe i akuzuari iu ka dhënë udhëzime që t’i përcillnin tek dëshmitarët.

Ata kanë pretenduar se këta persona mund të ndalohen të vizitojnë Thaçin për arsye legjitime. Veç kësaj, edhe nëse iu ndalohet vizita tre vëllezërve të Thaçit, Prokuroria thotë se i akuzuari i ka edhe dy të tjerë që mund ta vizitojnë.