Apel qytetarëve dhe turistëve: Zbritja me litar në Gjirin e Filikurit, e rrezikshme

0
4

Bashkia Himarë ka paralajmëruar qytetarët dhe turistët për rrezikshmëri të lartë në Gjirin e Filikurit, një prej vendeve më të frekuentuara, por njëkohësisht më të vështira për akses, pasi nuk ka rrugë.

Kryetari i bashkisë, Vangjel Tavo, në një postim në rrjetet sociale, thekson se litari i zbritjes është hequr dhe hyrja në zonë nga terreni i thyer është rreptësisht e ndaluar.

“Terreni i thyer dhe mungesa e infrastrukturës së sigurisë e bëjnë këtë zonë shumë të rrezikshme. Çdo tentativë për të zbritur në mënyrë të paautorizuar mund të ketë pasoja fatale”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Bashkia u bën thirrje të gjithë pushuesve të shmangin aventurat e rrezikshme dhe të zgjedhin plazhe të aksesueshme dhe të sigurta.

“Siguria e jetës është mbi gjithçka”, përfundon apeli i autoriteteve lokale, ndërsa strukturat e emergjencës dhe rendit janë në gatishmëri për të parandaluar çdo incident.