Pas disa ditësh të qeta, java që ka nisur pritet të sjellë ndryshime të shpeshta në mot. Deri të premten, vendi do të përballet me një freski relative, ku nuk do të mungojnë as reshjet. “Parashikoj që kjo javë të jetë e freskët, nëse do t’i krahasonim gjithmonë temperaturat me çfarë kemi përjetuar. Megjithatë do jetë e paqëndrueshme. Parashikohet që ditën e martë të mbetet me reshje zona veriore dhe verilindore. Të mërkurën e të enjten ka një përmirësim të theksuar të motit, ku do ketë më shumë kthjellime edhe pse vranësirat do jenë prezente, sërish të premten do të rikthehen reshjet e shiut pothuajse në gjithë zonën malore lindore”, u shpreh Tanja Porja, meteorologe e Meteoalb. Temperaturat nuk do të kalojnë 32 gradë, por ata që janë ende duke shijuar bregdetin nuk duhet të shqetësohen. “Parashikohet që sot, kryesisht pjesa më e madhe ose qytetet kryesore të Shqipërisë të luhaten nga 30 deri në 32 gradë. Pra, këto janë temperaturat duke përjashtuar vetëm Elbasanin dhe Beratin, ku termometri do të shënojë 34 gradë. E gjithë zona tjetër, përfshirë dhe bregdetin, do të kenë temperatura mjaft normale”, shprehet Porja. Fundjava do të ndryshojë panoramën. Temperaturat e larta do të rikthehen, duke risjellë valën e të nxehtit. “Parashikohet që të shtunën e sidomos të dielën e javën tjetër të na rikthehen sërish ato temperatura mjaft të larta”, shtoi meteorologia. Ekspertët theksojnë se kjo është një prirje tipike për muajin gusht, kur periudhat e freskëta ndërpriten nga rikthimi i vapës përvëluese. Klan News