Pushuesit vendas dhe të huaj, që kanë zgjedhur këtë vit bregdetin e Lezhës, gëzojnë jo vetëm plazhet e pastra dhe natyrën e bukur, por edhe hapësirat publike të shtuara dhe të menaxhuara sipas standardeve bashkëkohore.Në Shëngjin është investuar edhe në infrastrukturë, me segmentin e ri rrugor Shëngjin–Velipojë që lehtëson lëvizjen e pushuesve. Po ashtu, është hapur qendra shëndetësore verore, e cila ofron shërbim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, duke u ardhur në ndihmë vizitorëve gjatë gjithë sezonit turistik.

Bregdeti i Shëngjinit çdo vit frekuentohet nga mijëra pushues vendas e të huaj. Plazhet e tij janë të njohura për rërën e artë dhe ujin e ngrohtë, ku spikat “Rana e Hedhun”, por edhe plazhet e Kunes dhe Tales. Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror, si dhe kulinaria e pasur, e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.

Me rreth 38 kilometra vijë bregdetare, male, lumenj e laguna, histori, arkeologji dhe trashëgimi kulturore, Lezha ofron një paketë të plotë për vizitorët. Shëngjini dhe Lezha vitet e fundit janë shndërruar në destinacione turistike shumë të kërkuara, ku pushuesit gjejnë plazhin, natyrën, historinë, kulturën, gastronominë, traditën dhe shpirtin mikpritës të banorëve.