Kreu i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj ofroi sot disa këshilla praktike për mënyrën se si qytetarët duhet të veprojnë nëse ndodhen pranë vatrave të zjarrit apo përballen me rrezik të menjëhershëm nga flakët dhe tymi.

Ai theksoi se në çdo rast, ruajtja e qetësisë është vendimtare. Vlerësimi i situatës përreth, drejtimi i flakëve dhe erës, si dhe identifikimi i rrugëve më të sigurta për largim, janë hapa të parë thelbësorë. Qytetarët duhet të shmangin vonesat për shkak të sendeve të parëndësishme dhe të përqendrohen vetëm tek siguria e tyre.

Brataj tha se nëse është e mundur, qytetarët duhet të lëvizin menjëherë drejt zonave të sigurta, në drejtim të kundërt me flakët dhe tymin. Ai rekomandoi që të shmangen zonat me bimësi të dendur dhe kodrat, veçanërisht kur ka tym të dendur, përveç rasteve kur ngjitja është e vetmja rrugë shpëtimi dhe nuk ka flakë në afërsi. Vendndodhjet më të sigurta janë ato të hapura, si fusha të zhveshura apo rrugë të shtruara.

Në raste kur nuk ka rrugëdalje të qartë, ai këshilloi që të kërkohet një zonë e djegur tashmë ose pa bimësi, të qëndrohet afër tokës ku ajri është më i freskët dhe përqendrimi i tymit më i ulët.

Mbulimi i gojës dhe hundës me një pëlhurë të lagur mund të ndihmojë në filtrimin e grimcave të tymit.

Sipas tij, është e rrezikshme të fshihemi brenda automjeteve të mbyllura nëse flakët janë shumë pranë, pasi ato mund të mbinxehen shumë shpejt.

Brataj u bëri thirrje qytetarëve të komunikojnë menjëherë me shërbimet emergjente në rast rreziku, duke telefonuar numrin 127 për ndihmë mjekësore, ose 112 për të raportuar zjarrin dhe pozicionin e tyre.

Ai nënvizoi rëndësinë e përdorimit të funksioneve të telefonit, si dërgimi i lokacionit nëpërmjet GPS, për të ndihmuar ekipet e kërkim-shpëtimit në lokalizimin sa më të shpejtë të personave në nevojë.

Kreu i Urgjencës Kombëtare theksoi se edhe në rastet kur qytetari nuk ka djegie të dukshme, ekspozimi ndaj tymit mund të ketë pasoja për shëndetin e mushkërive, ndaj rekomandoi kontroll mjekësor të menjëhershëm sapo qytetari të ndodhet në një zonë të sigurt.

“Ruani qetësinë, merrni vendime të shpejta dhe kërkoni ndihmë menjëherë,” u shpreh Brataj, duke theksuar se në situata të tilla, çdo sekondë ka rëndësi jetike.