Muzeu Etnografik i Krujës ofron një tur unik në mënyrat e jetesës dhe zakonet e shtëpisë shqiptare përgjatë shekujve. Struktura është unike në llojin e saj në gjithë Ballkanin, frymëzuar nga stili arkitekturor shqiptar dhe osman. Muzeu Etnografik i Krujës është një ndërtesë e tipit “çardak”. Banesa është monument kulture e kategorisë së pare. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara.
Ndërtimi i shtëpisë daton zyrtarisht në vitin 1764 ndërkohë që u përshtat si muze që në 1989. Tre katet e shtëpise-muze ekspozojnë aspekte të ndryshme të jetesës së një familjeje të pasur shqiptare gjatë sundimit osman.
Vizitorët mund të mësojnë aty mbi sistemet tradicionalë por efiçentë ndërtuar për të vetë-furnizuar shtëpinë si dhe mbi organizimin bazuar në statusin social dhe gjinor të ambienteve familjare.
Restaurimi i Muzeut Etnografik të Krujës u financua nga Bashkimi Evropian, përmes programit EU4Culture. Ky rinovim e bëri këtë muze një epilog të denjë të shëtitjes që nis nga pazari, vijon me kështjellën, Muzeun e Gjergj Kastriotit, bujtinat etj.