Instituti i Statistikave (INSTAT) raportoi se për muajin korrik 2025 inflacioni u rrit në 2,5%, kundrejt nivelit 2,1% që ishte një vit më parë. Ndërsa ndryshimi mujor krahasuar me qershor 2025 shënoi rënie me 0,1%.

Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,08% pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,61%.

Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me rritje 0,20%, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,17%, çmimet e
grupit “Argëtim dhe kulturë” me 0,17%, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,11%, çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,07% secili, çmimet e grupit “Komunikimi” me 0,04%, çmimet e grupit “Shërbim i arsimor” me 0,03%, çmimet e grupit “Shëndeti” me 0,02% dhe çmimet e grupit “Transporti” ndikuan me rënie 0,02%.

Krahasuar me muajin qershor 2025, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënuan ulje me 1,0 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,4 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Shëndeti” me 0,2 % secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” shënuan rritje me 1,2 %, pasuar nga grupet “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,7 %, “Argëtim dhe kulturë” me 0,3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,2 %, “Transporti” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 % secili.