Personat që kanë qen dhe mace mund të kenë përfitime më të mëdha përtej një përqafimi, sipas “Verywell Health”.
Një studim i fundit e lidh pronësinë e një maceje dhe një qeni me rënien e ngadaltë të aftësive njohëse tek të moshuarit.
Studimi, i botuar në “Scientific Reports”, analizoi të dhëna 18-vjeçare nga Sondazhi i Shëndetit, Plakjes dhe Daljes në Pension në Evropë (SHARE) për të zbuluar lidhjen midis rënies tsë aftësive njohëse (një rënie e aftësive mendore të një personi, duke përfshirë kujtesën, të menduarit dhe aftësitë e vendimmarrjes) dhe pronësisë së kafshëve shtëpiake.
Në studim morën pjesë rreth 16 500 persona të moshës 50 deri në 99 vjeç nga disa vende evropiane.
Edhe pse të gjithë pjesëmarrësit kishin përjetuar një rënie të aftësive njohëse, ata që zotëronin mace dhe qen treguan një rënie, dukshëm më të ngadaltë në disa fusha specifike.
Pronarët e maceve ruanin një rrjedhshmëri më të fortë verbale, aftësinë për të komunikuar gjuhën, si dhe një rikthim i vonuar i kujtesës.
Pronarët e qenve përjetuan një rënie më të ngadaltë si në rikthimin e menjëhershëm të kujtesës ashtu edhe në atë të vonuar. Nuk u panë përfitime të rëndësishme te personat që zotëronin zogj ose peshq.
“Kjo sugjeron që lloji i kafshës shtëpiake dhe natyra e ndërveprimit kanë rëndësi, duke theksuar se si pronësia e kafshës shtëpiake mund të jetë një faktor kuptimplotë i stilit të jetës – që mbështet një plakje të shëndetshme të aftësive njohëse”, tha për “Verywell Health” Mohamad Koubeissi, kryetar i departamentit të neurologjisë dhe mjekësisë së rehabilitimit në Universitetin “George Washington”.
Pse është mirë të kesh mace dhe qen për shëndetin e trurit?
Të kesh një mik me katër këmbë është e dobishme ne aspektin njohës për disa arsye.
“Qentë duan të shëtisin dhe janë të gjallë, kështu që do të ketë një rritje të aktivitetit fizik dhe ndërveprimit shoqëror, si dhe një nivel të rritur të lidhjes emocionale,” tha Nicholas Streicher, MD, një neurolog në Qendrën Spitalore MedStar Washington.
Ai tha se pronarët e maceve përfitojnë më shumë nga shoqëria emocionale dhe ndërveprimi shoqëror.
Marrëdhëniet me kafshët shtëpiake gjithashtu mund të reduktojnë stresin dhe vetminë, të cilat janë faktorë rreziku për rënien e aftesive njohëse.
Studimet e kanë lidhur ndërveprimet me macet dhe qentë me rritjen e stimulimit të korteksit paraballor, i cili është pjesë e trurit që përfshin rregullimin e sjelljes, përgjigjen emocionale, formimin e gjuhës dhe kujtesën.
Pronarët e rinj të kafshëve shtëpiake gjithashtu mund të përfitojnë.
Aspektet e pronësisë së kafshëve shtëpiake që mbështesin shëndetin e trurit, si ulja e stresit, më shumë aktivitet fizik dhe rritja e mirëqenies emocionale dhe ndërveprimit shoqëror, mund të ndërtojnë rezerva njohëse, që ndihmon në parandalimin ose vonimin e rënies së aftësive njohëse në të ardhmen – duke përdorur strategji dhe burime alternative njohëse.