Muzeu Historik Kombëtar, pas një kohe të gjatë sfidash dhe dëmtimesh, përfshirë tërmetin e 2019-tës është në fazë restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi. Kjo është ndërhyrja më e rëndësishme e këtij institucioni simbol, në kuadër të programit EU4Culture, nën drejtimin e UNOPS, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe MEKI.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se, aktualisht në fazën e parë, punimet përfshijnë: paketim dhe evakuim të artefakteve, konsolidim dhe përforcim strukturor, rinovim të fasadave dhe izolimin e çatisë, instalimin e sistemit të monitorimit CAM, restaurimin e fasadës me teknologji moderne (fibra karboni dhe xhaketim kolonash).

Ndërkohë, MEKI është në proces buxhetimi për fazën e dytë për të garantuar vijimin e këtij transformimi rrënjësor, që do të përfshijë: shtesa nëntokësore me laboratorë e hapësira teknike; fasadën e brendshme “Oculus” prej xhami dhe mbulesën ikonike; sisteme moderne MEP, mbrojtje nga zjarri, muzeologji bashkëkohore dhe mobilim tërësor.