Këshilli i Ministrave vendosi transferimin te Korporata e Investimeve Shqiptare të pronave shtetërore për realizimin e projektit “Korpusi i Inspektorateve” dhe projekteve të tjera të investimit.

Autorizimi i shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, vetë apo nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj, për të vepruar si zhvillues i pronave, të përcaktuara në këtë vendim vjen në funksion të realizimit të projektit të investimit, që ka si qëllim, ndër të tjera, përmbushjen e interesit publik.

Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucionet publike përfituese brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi duhet të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, përmbushjen e interesit të Korporatës, si dhe entiteteve në pronësi të të cilit regjistrohet prona e re shtetërore.

Korporata e Investimeve Shqiptare ngarkohet të kryejë procesin e konsolidimit të pronave, në rast se konstatohet mospërputhje midis gjendjes faktike dhe ligjore të pronës.

Po ashtu, Korporata e Investimeve Shqiptare autorizohet për hapjen e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, për zhvillimin e pronave nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes, me qëllim realizimin e projekteve të saj të investimit.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit autorizohet që në të njëjtën procedurë, të asistojë Korporatën e Investimeve Shqiptare nëpërmjet hartimit të termave të referencës për projektidetë arkitekturore, hartimin e kritereve të kualifikimit për projektuesit dhe kritereve të vlerësimit paraprak e përfundimtar të projektideve arkitekturore.

Po ashtu autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për negociimin me subjekte private, me qëllim lidhjen e kontratës përkatëse për zhvillimin e pronave të transferuara në pronësi apo për të cilat ka autorizim zhvillimi, në funksion të realizimit të projekteve të saj të investimit.

Institucionet publike, të cilat zhvillojnë aktivitet në godinat e ngritura në pronat e përcaktuara në këtë vendim, do të vazhdojnë të përdorin pronën në funksion të aktivitetit të tyre deri në momentin e marrjes në dorëzim të ambienteve të reja, të ndërtuara në përputhje me termat dhe kushtet e përcaktuara në marrëveshje.

Kur, për nevoja të realizimit të projekteve të investimit, institucioni publik duhet të largohet nga prona ku kryen aktivitet, institucioni publik, me njoftimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare liron ambientet ku kryen veprimtarinë e tij, vetëm pasi Korporata e Investimeve Shqiptare, në bashkëpunim me institucione të tjera, publike apo subjekte private, i ka siguruar ambiente të përkohshme për vazhdimin e aktiviteteve të punës deri në marrjen në dorëzim të ambienteve të reja të ndërtuara.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Inspektorati i Përgjithshëm, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSSHSH), Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB), Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP), Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet (ZMR), Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat Minerare (AKSEM), Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKPMB), Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës (DSHPA), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP), Universiteti Politeknik i Tiranës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare.